Lamtumirë Tahir Z. Berisha!

Në Londër, ku jetonte prej vitesh, në moshën 85 vjeçare, ndërroi jetë veterani i arsimit dhe veprimtari i çështjes kombëtare, publicisti Tahir Z. Berisha, i cili i përkiste plejadës së parë të pishtarëve të arsimit shqip. Ai ishte autor i disa veprave monografikë për arsimtarët veteranë në tri vëllime, si dhe vëllimin e katërt “Emra që nuk harrohen – arsimtarë shqiptarë në diasporë”, bashkë me Çerkin Bytyçin dhe Hamza Halabakun.


Hamza Halabaku, Nuremberg (Gjermani)

Me keqardhje dhe pikëllim të thellë mora vesh, nga KTV, në emisionin e lajmeve, se në Londër më 12 dhjetor, është ndarë nga jeta, në moshën 85 vjeçare, ish-profesori, drejtori, mësuesi, edukatori im dhe i brezit tim e i shumë brezave, para dhe pas meje, Tahir Z. Berisha.

Ai për opinionin ishte dhe do të mbetet i njohur si punëtor i devotshëm arsimor, pasi arsimit kombëtar ia ka kushtuar një jetë të tërë, që nga puna e mësuesit deri te funksioni i kryeinspektorit të Arsimit të Kosovës. Dëshmi për punën tejet të vlefshme në arsim është edhe Mirënjohja për kontributin jetësor në fushën e arsimit dhe edukimit, me të cilën u nderua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës. Tahir Z. Berisha vazhdimisht është marrë me shkrime letrare e publicistike, analitike. Ai ishte krijues entuziast, mjeshtër i një pende të mprehtë, e cila i siguroi atij emër kryesisht në publicistikë nga fusha e arsimit, kulturës dhe historisë kombëtare. Me guxim të shquar prej intelektuali ai u rrek dhe me trajtimin e problemeve shoqërore-politike të kohëve të vështira për popullin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë, duke e ndarë fatin e vet me të bashkëkombësit e tij.

Është autor i disa veprave, por shquhet me librat monografikë për arsimtarët veteranë dhe arsimin shqip në Kosovë të periudhës 1941-1951, por dhe të atyre në diasporë. Janë tri vëllimet monografike “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë” I, II, III, si dhe vëllimi i katërt “Emra që nuk harrohen – arsimtarë shqiptarë në diasporë”, bashkë me Çerkin Bytyçin dhe Hamza Halabakun.

Konsideroj se nuk do ta teproja në këtë shkrim nëse tregoj diçka që mund të jetë shumë personale, por që lidhet me miqësinë që unë kisha me Tahirin, pavarësisht dekadave që i kaluam larg njëri-tjetrit, unë në Gjermani e ai në Prishtinë e pastaj në Londër, si dhe me një parandjenjë që ishte ogur i zi për lajmin që do ta marrë për shuarjen e tij. Natën në mes të dymbëdhjetë e trembëdhjetë dhjetorit të këtij viti, nuk u bëra rahat. Kisha një gjumë të rënd dhe me ndërprerje të shpeshta. Ato copëza gjumi i kisha të shoqëruara me ëndrra jo të mira. Në mëngjes u zgjova me një fytyrë të ngrysur, gjë të cilën e kishte vërejtur edhe bashkëshortja ime, e cila kur ma solli kafenë e mëngjesit, më pyeti pse e kisha atë pamje jo të zakonshme!?

Nuk e di, i thash, po tërë natën nuk jam bërë rahat…!

Dita e trembëdhjetë e dhjetorit të vitit 2013, filloi të rridhte rëndë. Me një përtesë i bëja “detyrat ditore”, shikimin e portaleve në internet, të postës time elektronike, madje edhe shëtitjen e zakonshme të ditës rreth e rrotull Liqenit Wöhrderwiese që është shumë afër banesës sime, këtu në Nuremberg, etj.
Ogurin e zi e solli koha e lajmeve e orës shtatëmbëdhjetë e kanalit KTV në platformën “Digitalb”: “Sot u nda nga jeta, në moshën 85 vjeçare, veterani i arsimit dhe veprimtari i çështjes kombëtare, publicisti Tahir Z. Berisha, i cili viteve të fundit jetoi në Londër. Ai i takoi plejadës së parë të pishtarëve të arsimit shqip, i cili një jetë të tërë, me devotshmëri kontribuoi në zhvillimin dhe afirmimin e arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare”.

Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë moment. Nuk e di pse përnjëherë e mora telefonin dhe desha të lidhesha me Londrën, të bisedoja me Gazmendin, birin e profesorit tim. Provova disa herë, por linja ishte e zënë. Më vonë Gazi e mori telefonin. Mezi arrita ta ngushëllojë. U tregova shumë burrë i dobët dhe, me siguri që edhe Gazi e ka vërejtur zërën tim të pazakonshëm.

Për një moment më shkoi mendja se nuk duhej të tregohesha i dobët. Duhet të krenohesha që kisha qenë nxënës dhe bashkëpunëtor i profesorit të çmuar. Por vetëvritu më erdhi një dënesje … Pasi e ndërpreva bisedën telefonike me Gazmendin në Londër, bashkëshortja ime më shprehu ngushëllime! Edhe ajo u ndie e mërzitur, sepse Tahirin e kishte njohur nga afër.

I informuar për të gjitha ceremonitë që do të bëhen në Prishtinë, Viti dhe në Verban, vendlindjen e profesorit, ku trupi i tij i pajetë do të varrosej dhe do të pushonte në amshim, bëra përpjekje që të jem pjesë e atyre ceremonive, por angazhimi im nuk dha rezultate, pasi nuk arrita të siguroja një fluturim nga Munihu në Prishtinë. Ta nisesha me veturë, në këtë kohë të dimrit dhe me moshën time 66 vjeç, dukej se ishte e pa mundur. Mbeta duke menduar si mund t´ia laj borxhin profesor Tahirit që kisha mësuar shumë gjëra nga ai dhe kishim bërë shumë punë të mira së bashku. Të nesërmen e mora në telefon mikun tim të nderuar dhe të profesor Tahirit, Rabit Rexhepi, i cili lajmin e kishte pritur me keqardhje dhe pikëllim. I bindur që Rabiti, nëse ka kushte të jetë në përcjelljen e fundit të profesor Tahirit, do të vendos një kurorë mbi varrin e tij, e luta që në atë kurorë ta shkruajë edhe emrin tim. Më premtoi se do ta kryejë amanetin dhe nuk e vë në dyshim atë që thotë Rabit Rexhepi, i cili i mban premtimet.

Ty, profesori im, Tahir Z. Berisha, të jam mirënjohës që përherë më lejove të jem afër Teje!

Të faleminderit që më lejove që emri im i vogël, disa herë të jetë afër emrit tënd të madh! Të faleminderit për vlerësimin real të hartimeve dhe shkrimeve të mia edhe kur ishe profesori im e unë nxënësi Yt i hajthëm e i vogël sa “troha”, atëherë kur nuk dija t’i dalloja shkronjat “ç” dhe “q” e edhe më vonë kur ishim bashkëpunëtorë e bashkautorë! Të faleminderit që për më shumë se gjashtë dekada i kontribuove vetëdijesimit të popullit tonë. E di që gjithmonë ke qenë në shënjestër nga pushteti dhe pushtetarët serbë, po shumë herë kam qenë prezent kur fal aftësive tua dhe punës së palodhshme me përkushtim, shmangeshe nga shënjestrat e tyre. Maturia e Tahir Z. Berishës, eleganca dhe energjia e Tij për punë e për jetë, na kanë bërë gjithnjë për vete! Edhe pas ikjes së Tij nga kjo botë, na duket se ende mund të bisedojmë me Te, me profesorin e nderuar dhe të kërkojmë mendimin e Tij për gjërat që i ka ditur, i ka jetuar e i ka përjetuar.

Prehu i qetë në Verbanin Tënd që aq shumë e deshe!

Shpresoj që i Madhi Zot të ka vendosur në vendin më të mirë në botën tjetër, sepse këtë e ke merituar! Sa ishe këtu, jam dëshmitar, se bëje dritë gjithandej kah ke ecur ! Dritë paç edhe atje!

[botuar në prointegra.ch më 27 dhjetor 2013 dhe "Bota Sot" më 28 dhjetor 2013]

No comments: